Pas një gjysmë sezoni në hije te Roma e Jose Mourinhos, sulmuesi spanjoll Borja Mayoral u transferua në huazim te klubi i Getafes, që ka ruajtur edhe të drejtën e blerjes në verë, nëse gjithçka do të shkojë mirë.
Duke folur në prezantimin në klubin e ri, Mayoral deklaroi se ka merituar më shumë minuta, por Mourinho nuk ka preferuar ta aktivizojë, teksa ka shpalosur edhe objektivin, që është rikthimi në përfaqësuesen e Spanjës.
“Më ka pëlqyer menjëherë ideja për të ardhur këtu te Getafe dhe e kam nisur me shumë entuziazëm që ditën e parë.
Pas sezonit të kaluar me Romën, mendoj se kam merituar më shumë minuta, por nuk mi kanë dhënë dhe jam i mërzitur për këtë. Objektivi im është të luaj rregullisht dhe të shënoj, për të merituar një ftesë në përfaqësuese”, u shpreh Mayoral.