Qendra e mbrojtjes shqetësim

Futboll

Qendra e mbrojtjes shqetësim

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 12:27
Qendra e mbrojtjes shqetësim

Fitorja minimale ndaj Kastriotit ka rikthyer qetësinë te Vllaznia, që nuk njihte suksesin prej katër javësh dhe goli i ishte shndërruar në një makth, megjithatë distanca me kreun mbetet ende 10 pikë dhe kuqeblutë duhet të shohin përpara.

Të dielën skuadrën e Brdaric e pret një tjetër transfertë, këtë herë ndaj Laçit që po kalon një formë të shkëlqyer dhe që nuk njeh humbje që prej ndeshjes së javës së 10 ndaj shkodranëve në “Loro Boriçi”.

Forma e mirë e kurbinasve është një kërcënim për shkodranët, që gjithsesi shpresojnë që mesfusha bardhezi të ndjejë sadopak mungesën e Regi Lushkjas, i cili është larguar drejt Sheriff Tiraspolit.

Megjithatë shqetësim në kampin shkodran mbetet mbrojtja, pasi Mevlan Adili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Kastriotit dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për transfertën kurbinase.

Krahas Adilit, në qendër të mbrojtjes me shumë gjasë do të mungojë edhe Fallou Diagne, i cili ka fluturuar drejt Francës para ndeshjes me Kastriotin, pasi është bërë baba dhe nuk është kthyer ende.

Leja për mbrojtësin ishte dy javore, megjithatë shpresat e Brdaric janë që Diagne të kthehet më herët, pasi momentalisht ka në dispozicion vetëm një qendërmbrojtës, malazezin Darko Bulatovic.

Në situatë të tillë, zgjidhja pritet të jetë spostimi i Gurishtës në qendër dhe aktivizimi i Krujës ose i Fangajt si mbrojtës i djathtë në vend të kapitenit, si mënyra e vetme për të plotësuar katërshen e prapavijës.

Sa u përket reparteve të tjera, nuk pritet të ketë probleme, pasi janë të gjithë në dispozicion, përfshi edhe francezin Michael Panos, i cili debutoi ndaj Kastriotit, apo fantazistin Brazilian Da Silva, që shleu pezullimin për shkak kartonësh.

Një tjetër aspekt pozitiv është edhe fakti që shkodranët kanë “thyer tersin” ndaj Laçit, pasi e kanë mposhtur në të dy përballjet e luajtura këtë sezon dhe janë e vetmja skuadër që ka marrë pikët maksimale ndaj kurbinasve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat