Joan Gaspart, ish-president i Barcelonës, është intervistuar nga media spanjolle “LaTribu” për të folur rreth aktualitetit të klubit “blaugrana” dhe jo vetëm. 77-vjeçari e ka “lëshuar” gjuhën, duke e shprehur hapur mendimin e tij për situatën ekonomike të skuadrës që tani drejtohet nga Xavi Hernández dhe çështjen Dembélé, i cili do të qëndrojë deri në qershor.
Për anësorin francez, Gaspart sugjeron:
“Përderisa Dembélé është në Barça, ai duhet të luajë. Nuk jemi këtu për të dhënë mësime edukative. Të kesh atë në skuadër dhe të mos e aktivizosh, është gabim i rëndë.”
Për të ardhmen e Kylian Mbappesë, Gaspart nuk ka asnjë dyshim:
“Unë do t’ju jap lajmin ekskluziv. Kylian tashmë ka nënshkruar për Realin e Madridit, jam i sigurt. E njoh Florentinon dhe jam i sigurt.”
Situata ekonomike e Barçës është diçka që e shqetëson shumë ish-presidentin:
“Më shqetëson shumë. Është e qartë që Barcelona ka kapacitet për t’u rikuperuar financiarisht. Barça është e tillë, sepse i nënshtrohet një kontrolli shumë të rreptë, gjithçka është e hapur për publikun, pra ka transparencë. Te Reali i Madridit nuk është kështu, çfarë ndodh atje askush nuk e di. E vetmja gjë që njerëzit dinë është se në krye është një sipërmarrës i madh. Është e vështirë të gjesh dy që nuk pajtohen. Tek Barcelona jemi ndryshe".