Bayern Munchen ende nuk ka kontaktuar Thomas Muller për një zgjatje të mundshme të kontratës. Lojtari zbulon se nuk ka pasur bisedime me kampionët në fuqi të Bundesligës, për vazhdimin e kontratës së tij, e cila skadon në 2023.
“Askush nga klubi nuk më është afruar ende. Kështu që ne do të duhet të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja,” -u shpreh Muller për “Sport Bild”.
Në të njëjtën intervistë, 32-vjeçari ka nënvizuar se dëshiron të luajë në nivelin më të lartë edhe për të paktën tre vite të tjera.
“Unë patjetër dua të luaj futboll të nivelit të lartë deri në vitin 2025-ën. Për momentin gjithçka po shkon mirë, po argëtohem në fushë. Nuk po mendoj të pensionohem. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe topi ende më bindet”,-theksoi ai.
Muller kohët e fundit u lidh me Everton dhe Newcastle United, të cilët tentuan ta transferonin titullarin e Bayern në Premier League.