Visar Bekaj dhe Liridon Latifi në formacionin e javës në Kategorinë Superiore

Futboll

Visar Bekaj dhe Liridon Latifi në formacionin e javës në Kategorinë Superiore

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 13:57
Visar Bekaj dhe Liridon Latifi në formacionin e javës në Kategorinë Superiore

Superliga shqiptare e futbollit mbylli dje javën e 18-të. Në pesë ndeshjet e zhvilluara u shënuan nëntë gola. Fitore me poker mori Tirana 4-0 me Kukësin, ndërsa edhe Vllaznia fitoi 0-1 me Kastriotin. Tri pikë për Laçin ndaj Partizanit, që iu fal një goli të Lushkjas.

Teuta ia doli që me një gol të L. Vilës që merrte tri pikë ndaj Skënderbeut, teksa sfida mes Egnatias dhe Dinamos u mbyll në barazim 1-1. Nga ajo çka u prodhua në fushë dhe ajo që dhanë futbollistët, newsport.al ju sjell formacionin më të mirë të kësaj jave.

FORMACIONI/ Bekaj, Allmuça, Bulatovic, Hoxhallari, Ademi, Lushkja, Qato, Latifi, L. Vila, Xhixha, Seferi Trajner: Orges Shehi.

Visar Bekaj (Tirana) – Portieri bardheblu ishte në lartësinë e detyrës, teksa ndali disa gjuajtje të Mustës dhe Ndrecës, në fitoren që Tirana mori 4-0 me Kukësin. Skuadra e Shehit ka një siguri në katërkëndësh, teksa veç lojës në portë, Bekaj ka fituar siguri edhe në lojën me topin poshtë.

Ilir Allmuça (Egnatia) – Mbrojtësi i Egnatias ishte ndër më të mirët për të tijtë, me rrogozhinasit që barazuan 1-1 me Dinamon. Me shiritin në krah, 27 vjeçari edhe njëherë iu tregoi dinamovitëve se bënë gabim që e larguan dy sezone më parë. Një piston në fashën e majtë, Allmuca këtë sezon po bën liderin në fushë.

Erjon Hoxhallari (Tirana) – Edhe pse në qendër të mbrojtjes, lojtari i Tiranës ka fituar siguri në prapavijë paçka se jo në pozicion natyral. Kapiteni bardheblu është i fortë edhe në luftën në ajër, teksa me Shehin në stol po tregon se është një lider në mbrojtje. Jo më kot është ndër lojtarët e vetëm nga Superliga që merr ftesë nga Kombëtarja shqiptare.

Darko Bulatovic (Vllaznia) – Vllaznia fitoi me Kastriotin në transfertë dhe Bulatovic zëvendësoi më së miri Diagne në qendër të mbrojtjes. Malazezi është rikthyer nga një dëmtim i gjatë dhe po bind trajnerin Brdaric jo vetëm në fashën e majtë të mbrojtjes por edhe në qendër.

Regi Lushkja (Laçi) – Ndeshja e fundit me shirit në krah, gol vendimtar dhe një lamtumirë si në ëndrra. Mesfushori pas gjashtë vitesh largohet nga Laçi drejt Sheriff Tiraspol, duke bërë që të gjithë tifozët të çohen në këmbë për të duartrokitur paraqitjen e tij. Goli me vlerën e tri pikëve ndaj Partizanit ishte një mrekulli më vete.

Klinti Qato (Laçi) – Mirel Josa është duke kërkuar zëvendësin e Lushkjas dhe duket se e ka gjetur në ekip. Shtatëshkurtri edhe dje tregoi se është i aftë të marrë përgjegjësi në fushë, duke merituar me paraqitjet e tij një vend mes më të mirëve të javës.

Liridon Latifi (Vllaznia) – Vendimtar me një tjetër gol. Drejtuesit e shkodranëve duhet të jenë të lumtur për afrimin e tij në merkato, teksa Latifi i jep një tjetër sprint sulmit të Vllaznisë. Edhe pse me penallti, sulmuesi anësor tregon se është pikë e fortë.

Lorenco Vila (Teuta) – Dëmtimi e mbajti jashtë djaloshin për disa javë, teksa i vogli i Vilave rikthehet për të qenë njeriu i ndeshjes. Tri pikë të nevojshme për kampionët në fuqi, që janë në pozitat e poshtme të klasifikimit. Veçohet në golin e Vilës edhe asisti i Peposhit.

Ilirid Ademi (Egnatia) – Laçi duhet të “qajë” largimin e Ademit në merkaton e janarit. Anësori është përshtatur si duhet me Egnatian, duke fituar besimin e trajnerit Zekerija Ramadani. Deri tani Ademi po plotëson pritshmëritë e drejtuesve, duke gjetur golin e dytë në Superligë me rrogozhinasit.

Redon Xhixha (Tirana) – Një stadium i tërë në këmbë për ta përshëndetur. Xhixha dhuroi show në fitoren që Tirana mori 4-0 kundër Kukësit, rival direkt në renditje. Me driblimet e tij dhe frymëmarrjen që i jep skuadrës, Shehi duhet të ketë “dhimbje koke” për t’i gjetur vend Devid.

Taulant Seferi (Tirana) – Bashkëpunimi me Xhixhën është i duhuri. Njëjtë si kolegu i sulmit, Seferi shënoi dopietë në fitoren e Tiranës, duke kryesuar me 10 gola klasifikimin e golashënuesve, për të qenë një kandidaturë e fortë për trofeun e “Këpucës së Artë”. Duket se forma e mirë do bëjë edhe Rejën që t’i drejtojë një ftesë në Kombëtare.

Trajner: Orges Shehi – Trajneri i Tiranës  ka ditur të ekuilibrojë një grup me shumë cilësi dhe të marrë më të mirën prej lojtarëve. Me skemë 4-3-3 por edhe me ndryshimet e saj gjatë lojës, Shehi më së shumti ka ditur të përcjellë në ekip qetësinë që e karakterizon, duke sjellë edhe kreun për bardheblutë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat