Bernardo Silva është një nga lojtarët më të mirë të Manchester City. Pep Guardiola e vlerëson shumë 27-vjeçarin portugez, i cili ka kontratë deri në 2025 me kampionët në fuqi të Anglisë.
Lojtari ofensiv, autor i 8 golave sezonalë dhe 2 asisteve në të gjithë kompeticionet, dëshiron të largohet në verë. Ai preferon kalimin në Spanjë, teksa emri i tij është lidhur edhe me Milanin në të kaluarën.
Bernardo Silva nuk është i kënaqur me stilin e jetës në ishull, por ndryshe mendojnë te City. Times raporton se drejtuesit e klubit anglez po përgatisin rinovimin e kontratës me lojtarin luzitan, i cili u shpall lojtari më i mirë i ekipit në muajt shtator, tetor dhe nëntor, rekord!
Rroga sezonale e Bernardo Silvës do të pësojë rritje, teksa së shpejti do të nisin bisedimet me agjentin e tij në lidhje me zgjatjen e qëndrimit në “Etihad Stadium”, aty ku lojtari luan prej vitit 2017.