Dimitar Berbatov luajti me skuadra si Manchester United, Tottenham dhe Bayer Leverkusen gjatë karrierës si futbollist, teksa shënoi 48 gola në 78 takime me kombëtaren bullgare.
41-vjeçari nuk mund të qëndrojë larg futbollit dhe ka vendosur të kandidojë për postin e presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit. Emri i tij është propozuar nga CSKA nga Sofja, ekipi ku e nisi karrierën ish-sulmuesi.
“Klubi ynë mbështet kandidaturën e Berbatov. Duam ndryshimin dhe besojmë se është e nevojshme që kjo të ndodhë në mënyrë që futbolli bullgar të përparojë”, lexohet në komunikatën e klubit kryeqytetas.
Berbatov është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares ballkanike, teksa është shpallur shtatë herë si futbollisti bullgar i vitit. Zgjedhjet për kreun e ri të futbollit bullgar do të mbahen në muajin mars.