Julian Alvarez është një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas. 22-vjeçari kaloi në ekipin e parë të River Plate në janarin e vitit 2018, duke ia dalë të fitojë Kupën Libertadores me “Millonarios”.
Shumë klube të mëdha garuan mes tyre për të siguruar shërbimet e sulmuesit latin (6 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës), por në fund festoi Manchester City, që firmosi me të deri në 2027.
Kampionët në fuqi të Anglisë, arritën marrëveshjen me River Plate për shumën e 17 milionë eurove, teksa u vendos që Alvarez të vijojë të qëndrojë te River deri më 7 korrik.
Pep Guardiola ishte ai që insistoi për blerjen e Alvarez. Trajneri spanjoll e vlerëson shumë, teksa shpjegoi vendimin për ta lënë huazim në Buenos Aires deri në verë.
“Alvarez është një futbollist që mund të jetë që tani pjesë e jona, por ne kemi mjaft lojtarë në sulm. Vendimi më i mirë për të gjithë është qëndrimi i tij te Riveri.
Në fazën përgatitore përpara nisjes së sezonit të ri, ai do të bashkohet me ne. Më pas do të vendosim se çfarë do të ndodhë. Ndihem super i lumtur që do e kem lojtar të ekipit tim në të ardhmen”, deklaroi Guardiola.