Barcelona po mendon për një rinovim. Ronald Araujo ka kontratë deri në 2023 me klubin katalanas, ndërkohë që qendërmbrojtësi pëlqehet shumë nga dy klube të Premier League.
Manchester United e ndjek prej kohësh, por interesim për 22-vjeçarin uruguaian (7 ndeshje me kombëtaren latine) ka edhe nga Manchester City, me Pep Guardiolën që e cilëson si një përforcim të rëndësishëm për prapavijën.
Trajneri spanjoll ka drekuar me Edmundo Kabchi, një nga agjentët e futbollistit të Barcelonës, me këtë të fundit që mund të luajë edhe në krahun e djathtë të prapavijës.
Araujo u ble nga Barcelona për 4.7 milionë euro në verën e vitit 2018, dy sezone i kaloi tek ekipi B, teksa prej tetorit të vitit 2020 është bërë pjesë e skuadrës së parë të Barcelonës.
Mbrojtësi ka zhvilluar 24 ndeshje në të gjithë kompeticionet me Barcelonën gjatë këtij sezoni, duke ia dalë të gjejë dy herë rrugën e rrjetës në La Liga. Xavi e vlerëson shumë dhe presidenti Laporta ka nisur bisedimet në lidhje me rinovimin.
Gjithsesi, Sport.es shkruan se Barcelona duhet të nxitojë, pasi dy klubet e Manchesterit nuk heqin dorë nga lojtari latin. Së shpejti do të prezantojnë ofertat e tyre zyrtare. Kartoni i Araujos vlerësohet rreth 40 milionë euro.