Nëse shohim renditjen dhe pikët, mund të themi se ndeshja e sotme mes Teutës dhe Partizanit është një sfidë mes të barabartësh.
Edhe nëse u futemi më hollë statistikave të ekipeve në këto dy faza të para, dalim në të njëjtin përfundim, megjithëse Partizani ka një epërsi të lehtë në shumicën e treguesve.
Në zotërimin e topit skuadra e Mehmetit është më e zonja dhe e mban sferën në këmbë mesatarisht 56.3% të 90-minutëshit dhe renditet e dyta në Superiore për këtë aftësi.
Teuta e mban topin 52.8% dhe renditet e pesta. Te kroset Partizani ka sërish epërsi. Të kuqtë krosojnë mesatarisht 15.9 herë për ndeshje, ndërsa Teuta 12.51 herë.
Partizani pëson 12.96 faulle për ndeshje, ndërsa Teuta 12.56. Lojtari që ka dhënë më shumë asiste te të dyja ekipet është Sherif Kallaku, i cili aktualisht është pjesë e “demave”, por 4 asistet e tij i ka dhënë me fanellën e Teutës. Edhe te faullet e shkaktuara të dyja ekipet janë në shifra të barabarta, 13.9 Teuta dhe 14.55 Partizani.
Një statistikë, në të cilën Partizani ka diferencë, por që nuk është tregues pozitiv, janë topat e humbur. Të kuqtë humbin mesatarisht 94.04 topa në ndeshje dhe renditen të dytët nga fundi. Teuta humbet 90.55 herë sferën nga zotërimi për ndeshje. Tregues pozitiv, në të cilin Partizani kryeson janë gjuajtjet, shkruan Panorama sport.
Të kuqtë gjuajnë 11.51 herë, ndërsa Teuta 8.34. Edhe te driblimet, Partizani kryeson. Ata tentojnë 23.7 driblime, kundrejt 21.35 të Teutës.