Kampionati i femrave ka luajtur këtë të shtunë të pesta ndeshjet e javës së 11-të, pas shkëputjes disa javore për shkak të zhvillimit të tureve të Kupës së Shqipërisë, ku tashmë janë përcaktuar edhe dy skuadrat finaliste.
Sfida më delikate e javës, Tirana – Apolonia, e zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet nuk shkoi më tepër se barazimi i bardhë 0-0, me të dyja skuadrat që bënë një ndeshje të fortë dhe mjaft të luftuar, duke krijuar raste shënimi, por pa finalizuar në fund.
Sakaq, kampionet në fuqi të vendit u kthyen në Shkodër me një tjetër fitore, pasi mundën ekipin e Skënderbeut me shifrat e thella 0-14. Vllaznia ishte dukshëm dominuese në këtë sfidë, me tetë gola të shënuar që në pjesën e parë, me Megi Doçin që ishte pa dyshim lojtarja e ndeshjes, me gjashtë realizime.
Partizani fitoi me manita ndaj Atletik Club, në një sfidë që pa dominuese kryeqytetaset. Të kuqet pritën në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, shkodranet e Atletik Club, teksa siguruan tre pikëshin e radhës, me pesë gola që mbajnë firmën e Xhebrahimit, Begallos, Lebës, Locit dhe Tabakut.
Nga ana tjetër edhe Murlani regjistroi një fitore të thellë ndaj Tirana AS, 7-0, me shkodranet që kaluan në avantazh me Selimin që në minutën e 27-të, ndërsa më tej, Jaku dyfishoi shifrat. Në fraksionin e dytë, verioret shënuan edhe pesë gola të tjerë, ku spikat dopieta e Luiz Cabral dhe Bispo Santana si dhe Selimi që shënoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë.
Një tjetër ndeshje mjaft e luftuar u zhvillua në Durrës, me ekipin e Teutës që priti Kinostudion, duke e mundur me rezultatin 4-3 me përmbysje. Kryeqytetaset e nisën mirë këtë sfidë, duke kaluar në avantazh të dyfishtë me Kadiollin dhe Bardhin në minutat 26-të dhe 34’, por bregdetaret iu përgjigjën shumë shpejt me Delilaj, e cila realizoi dopietë në harkun kohor të dy minutave, duke barazuar shifrat.
Me nisjen e pjesës së dytë, Xhabafti kalon sërish në epërsi Kinostudion, teksa pak minuta para se të përfundonte koha e rregullt, Teuta arrin të përmbysë rezultatin, me Dishën që barazon fillimisht shifrat e me Bushin që ekzekuton në mënyrë të saktë një 11-metërsh duke i dhënë tre pikët Teutës në këtë sfidë.
Rezultatet e javës së 11-të:
Partizani 5-0 Atletik Club
KF Murlani 7-0 Tirana AS
KF Skënderbeu 0-14 Vllaznia
KF Teuta 4-3 Kinostudio
Tirana 0-0 Apolonia