Milani arriti një fitore të madhe me përmbysje ndaj Interit me rezultatin 1-2.
Zikaltërit ishin ata që shkuan fillimisht në avantazh me Ivan Perisiç, por në pjesën e dytë ishte Olivier Zhiru, i cili në tre minuta përmbysi kampionët aktual të Italisë.
Sipas faqes së statistikave “OPTA Paolo”, Milani ka fituar një derbi të Milanos me përmbysje pas 18 vitesh, ku hera e kaluar daton më 21 shkurt të vitit 2004.
Në atë ndeshje të sezonit 2003/2004, skuadra e Interit asokohe drejtohej nga Alberto Zakeroni kaluan në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë me Dejan Stankoviç dhe Kristiano Zanetin.
Pjesa e dytë foli e gjitha për kuqezinjtë e Karlo Ançelotit, ku Jon-Dahl Tomason, Kaka dhe Klarenc Sedorf ishin heronjtë e atij takimi me tre golat e tyre që përmbysën Interin.
Me fitoren e djeshme, Milani i afrohet Interit me -1 pikë në kreun e klasifikimit, por zikaltërit kanë ende një ndeshje më shumë për të zhvilluar ndaj Bolonjës, ku në sfidën e parë të vitit kalendarik 2022 ekipi emilian kishte shumë të infektuar me COVID-19, çka u bë e mundur shtyrja e ndeshjes në një datë ende të pacaktuar.