Manchester United po studion një plan për të marrë tre mesfushorë në merkaton e verës së ardhshme. ESPN ka bërë të ditur se Djajtë e Kuq duan të përforcojnë ndjeshëm repartin e mesfushës.
Paul Pogba mund të largohet në fund të sezonit nga Old Trafford me kosto zero, ndërsa Nemanja Matic është afër fundit të karrierës së tij.
Trajneri i përkohshëm Ralf Rangnick, i cili do të marrë rolin e këshilltarit pas këtij sezoni, duket se ka punuar me drejtuesit e klubit për të gjetur yjet e duhur që do t’i bënin punë skuadrës.
Objektivat duket se janë 23-vjeçari i Ëest Ham-it, Declan Rice, 26-vjeçari i Leeds-it, Kalvin Phillips, dhe 24-vjeçari i Leipzig-ut, Amadou Haidara.
Negociatat për të tre mesfushorët mund të fillojnë shumë shpejt. Gjithmonë sipas ESPN, duket se në listën e mesfushorëve të United kanë qenë plot 15 emra, para se drejtuesit ta shkurtonin listën me 3 emrat e lartpërmendur.
Megjithatë, United ka ndërmend të konsultohet me trajnerin e ardhshëm para se të shpenzojë para për blerje të reja.
Vlera e të tre lojtarëve të marrë bashkë është 139 milionë euro: Rice ka një vlerë 75 milionë euro në merkato, Phillips 40 milionë dhe Haidara 24 milionë.