Bledi Shkëmbi nuk do të jetë më trajneri i Dinamos. Humbja 2-0 e ditës së djeshme kundër Kastriotit, ka sjellë fundin e aventurës së 42-vjeçarit korçar me blutë kryeqytetas.
“Moment i vështirë, moment i keq, po kthehen hijet e ndeshjeve të para. Duhet të reflektoj edhe unë, do flas me presidentin dhe do bëj më të mirën për klubin. Me qetësi do vendosim se çfarë do të bëjmë.
Përgjegjësi kryesor jam unë, nuk mundohem të gjej fajtorë”, deklaroi Shkëmbi pas humbjes së radhës. Trajneri dhe presidenti Bardhi kanë zhvilluar një takim, duke mbyllur me konsensus bashkëpunimin.
Shkëmbi mori drejtimin e Dinamos verën e kaluar, dhe e drejtoi ekipin në 24 ndeshje, duke regjistruar 6 fitore, 8 barazime dhe 10 humbje. Drejtimin e ekipit do ta marrin Bledar Devolli dhe Erjon Xhafa, shkruan Supersporti.
Dyshja do të debutojnë në derbin kundër Partizanit. Dinamo luan të enjten (10 shkurt) përballjen e dytë çerekfinale ndaj “Demave”. Takimi i parë përfundoi në barazim 1-1.