Napoli i është afruar përsëri Interit në garën për titullin kampion në Serinë A, pas suksesit 2-0 ndaj Venecias sot.
Një rezultat i rëndësishëm që kishte si protagonist kryesor Viktor Osimhen.
Sulmuesi nigerian u kthye në fushë pas më shumë se 100 ditësh, periudhë në të cilën kishte munguar për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi në fytyrë dhe për shkak të cilit tashmë luan me në maske speciale karboni.
Maskë e cila duket se nuk i krijon probleme, pasi që në ndeshjen e parë ai dha një paraqitje të mirë dhe gjeti rrugën e rrjetës me napolitanët në suksesin e sotëm.
“Ndjehem mirë, isha i bindur se isha gati për këtë ndeshje. Jam i lumtur për paraqitjen time dhe të skuadrës. Isha i sigurt se mund të filloja që në minutën e parë dhe të bëja një ndeshje të madhe dhe nuk ishte e thjeshtë pasi përballë kishim një kundërshtar të madh”, tha ai pas sfidës.
“Maska funksionon mirë. Interi? Ne duhet të mendojmë hap pas hapi, përballemi me një skuadër të madhe dhe nuk do të jetë e lehtë, por jemi në rrugën e duhur. Objektivi ynë është titulli kampion”, ishin fjalët e Osimhen pas duelit të sotëm që pa Napolin të shkojë 1 pikë larg Interit në renditjen e Serisë A.