Diego Costa është shumë afër gjetjes së skuadrës së radhës në karrierë. Sulmuesi me origjinë braziliane, ndërpreu bashkëpunimin me Atletico MG më shtatë janar.
33-vjeçari arriti në parim një marrëveshje për kalimin te Salernitana në Serie A, por drejtuesit e klubit italian u tërhoqën në momentin e fundit, për shkak të formës fizike të sulmuesit.
Tani e kërkon Fenerbahce dhe vetë lojtari pranon bisedimet me klubin turk. “Unë dhe agjenti im kemi autorizuar një menaxher për të siguruar një marrëveshje në Turqi.
Ai po bisedon me drejtuesit e Fenerbahces, më pas do të marr një vendim përfundimtar”, deklaroi lojtari ofensiv, i cili ka veshur fanellat e Brazilit (2 ndeshje) dhe Spanjës (24 ndeshje dhe 10 gola).
Për shërbimet e tij interesohen edhe disa klube ruse, por Diego Costa është më afër gjigantit nga Stambolli, që pritet t’i dhurojë një kontratë afatgjatë për ta bindur të firmosë.