Paris SG-ja i ka dhënë një leksion të mirë kampionëve të Francës, Lilës, duke e shpartalluar brenda në shtëpinë e saj 5- 1. Një nga protagonistët absolutë në suksesin e parisienëve ka qenë dhe ylli i saj, Kilië Mbape. Ai ka realizuar një nga golat e suksesit të PSG-së.
Por, për mediat franceze, golat e Mbapesë nuk përbëjnë më lajm. Lajme përbën e ardhmja e tij dhe ata nuk kanë ngurruar ta ngacmojnë sulmuesin francez në lidhje me zgjedhjen që ka bërë për të ardhmen e tij.
Edhe këtë herë Mbape ka zgjedhur të përgjigjet si një politikan dhe në vend që të qartësojë të ardhmen e tij, ai vetëm sa ka shtuar dhe më shumë dyshimet. Një e folur me dy kuptime e tij që është interpretuar në mënyra të ndryshme në Francë dhe në Spanjë.
“Nuk kam marrë asnjë vendim për të ardhmen time – ka thënë Mbape – Jemi në një fazë të rëndësishme të sezonit dhe duhet të jemi të fokusuar në atë çfarë bëjmë në fushë. Këtu futen dhe dy ndeshjet kundër Realit të Madridit në Champions. Besoj se këto dy takime mund të ndryshojnë shumë gjëra. Edhe pse unë jam një lojtar i lirë të bisedoj me çdo klub të mundshëm, tani nuk dua të flas me kundërshtarët e mi. E vetmja gjë që mendoj është të fitojmë kundër Realit dhe më pas të flasim, të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Deklarata e sulmuesit të PSG-së dhe kombëtares franceze ka ardhur vetëm 8 ditë para sfidës së vajtjes në 1/8 e finaleve në Champions mes PSGsë dhe Realit. E ardhmja e Mbapesë është lidhur ngushtë me Realin e Madridit. “Los Blancos” kanë bërë çdo lëvizje të mundshme për të joshur francezin t’i bashkohet gjigantëve spanjollë.
Për mediat spanjolle deklarata e Mbapesë shihet si një konfirmim i faktit se ai do t’i bashkohet Realit në verë. Ndërsa në Francë mendojnë se në rast suksesi të PSG-së me shumë gjasa Mbape mund të vendosë të qëndrojë në Paris.