Largimi i Donarumës nga skuadra e Milanit prodhoi shumë polemika, me tifozët që iu kundërvunë portierit duke e quajtur tradhtar. Disa muaj nga transferimi i tij tek PSG, italiani i është kthyer atyre momenteve.
Në një intervistë për prestigjiozen “La Gazzetta Dello Sport”, 22 vjeçari ka folur për lamtumirën që i dha kuqezinjve në merkaton e verës.
Largimi nga Milani
“Të gjithë më fajësojnë mua, pa parë se çfarë ndodhi në anën tjetër. Telefonata e tyre e fundit ishte për të më thënë se kishin marrë një portier tjetër. Ky është fundi i historisë. E falënderoj klubin për atë se çfarë ka bërë për mua. I ndjek ndeshjet e tyre si tifoz dhe u kënaqa për fitoren në derbi.”
Kalimi tek PSG...
“Mendoj se ka qenë gjithmonë fati, pasi ata ma kanë ndjekur prej vitesh. Jam i lumtur dhe krenar që gjendem këtu.”
Rivaliteti në portë me Kejlor Navas...
“Nuk ka krisje me Navasin, kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. E dija që do të kishte konkurrencë kur erdha këtu, por nuk e kam problem".