Interi fitoi 2-0 kundër Romës dje në mbrëmje, rezultat që i siguroi zikaltërve kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Edin Dzeko dhe Alexis Sanchez realizuan golat e fitores për ekipin e Simone Inzaghit.
Gjithsesi, dëmtimi i Alessandro Bastonit ka shqetësuar trajnerin e Interit. Mbrojtësi italian po kalonte një formë shumë të mirë sportive, por u detyrua të largohej nga fusha në fundin e pjesës së parë.
22-vjeçari ka dëmtuar kyçin e këmbës së djathtë dhe la fushën e blertë duke çaluar si pasojë e përplasjes me Zaniolon. Sot do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore në kavilje për të mësuar kohën e rikuperimit.
Bastoni rrezikon ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ve në Champions League. Interi pret Liverpoolin në “San Siro” më 16 shkurt, dhe Inzaghi shpreson ta ketë gati për sfidën e rëndësishme.