Cristiano Ronaldo u la në bankën e rezervistëve për përballjen e Manchester Unitedit me Burnley të martën dhe trajneri i përkohshëm i djajve të kuq, Ralf Rangnick, shpjegoi se vendimi i tij ishte taktik.
Për ndeshjen e djeshme, Rangnick zgjodhi të luajë me Edinson Casvanin nga fillimi në vend të Ronaldos, i cili e kishte humbur një penallti në dështimin e Unitedit në FA Cup kundër Middlesbrough në ndeshjen e kaluar.
Rangnick e shpjegoi para ndeshjes vendimin për ta ulur në stol Ronaldon, duke thënë se beson se Cavani i përshtatet më mirë planit të lojës.
“Është një ndeshje ku kërkohen shumë sprinte, ndjekje të topit dhe shumë luftime për topat e dytë”, tha Rangnick para ndeshjes.
“Kjo i përshtatet më së miri Edinson Cavanit, prandaj edhe ky është titullar”, nënvizoi ai.
Ronaldo u fut në lojë nga stoli në minutën e 68-të, por nuk qe në gjendje t’ia fitojë tri pikë djajve të kuq.
Unitedi u ndal me barazim 1:1 nga Burnley, duke e bërë edhe një hap tjetër të gabuar në garë për top katërshe në Premierligë.