Vllaznia pret nesër në Loro Boriçi Flamurtarin, një takim i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që vlen të theksohet se shkodranët kanë triumfuar në provën e parë ndaj vlonjatëve me rezultatin 1-2.
Në konferencë për shtyp për të folur në lidhje me ndeshjen, ka dalë Arsid Kruja. Lojtari i kuqebluve thekson se Vllaznia ka dy formacione, ndërsa Kruja shton se nuk janë dorëzuar në llogaritë për kampionatin duke qenë se edhe vjet ata vetë ishin 12 pikë të shkëputur nga ndjekësit dhe në fund nu kia dolën të fitonin kampionatin.
“Normalisht si çdo ndeshje tjetër ne e marrim seriozisht dhe nuk ka ndeshje të lehtë, se Flamurtari ka lojtarë cilësorë dhe do të bëjmë maksimumin që të shkojmë në turin tjetër. Ne besojmë se do të kalojmë në raundin tjetër dhe të shkojmë në gjysmëfinale.
Besoj se nesër do të ketë disa ndryshime të vogla, por Vllaznia ka dy formacione. Kupa është objektiv, vjet e fituam dhe shkuam në Europë. Është ndër objektivat kryesorë”.
Titulli? “Shanset derisa matematika të na lejojë janë të shumta edhe ne vjet ishim 12 pikë para por na iku kampionati, gjithsesi duke marrë ndeshjet seriozisht dhe duke dhënë maksimumin çdo gjë mund të arrihet”.
Je i kënaqur në aspektin personal? “Jam I kënaqur se i kam shërbyer ekipet, por do të kisha mundur të bëja edhe më mirë”, u shpreh Kruja.