Futbollisti Xherdan Shaqiri jo vetëm që do të jetë një nga yjet e ligës amerikane MLS, por edhe një nga lojtarët më të paguar, shkruan media zvicerane “20min”.
“Siç u njoftua të premten, ylli i Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri po largohet nga Olympique Lyon pas vetëm gjashtë muajsh dhe do të transferohet në Chicago Fire. Marrëveshja është e rregulluar!
Chicago më pas njoftoi transferimin të mërkurën në mbrëmje. Ylli i kombëtares thotë: "Shihemi së shpejti, Chicago!" Ai gjithashtu shkroi në Twitter: “Jam krenar që e vesh këtë fanellë” dhe përgjigjes i shtoi edhe një zemër”, shkruan media zvicerane.
Faqja e rrjeteve sociale të klubit amerikan e përshkruan Shaqirin si “Messi i Alpeve”, i cili tani po bëhet “Lake Michigan Messi”.
Amerikanët paguan një shifër të transferimit prej rreth 7.5 milionë frangash – një transferim rekord për klubin nga qyteti amerikan.
Dy klubet janë dakord. Pas kontrolleve mjekësore, sipas informacioneve të “20 min.”, Shaqiri tashmë ka nënshkruar kontratën me Chicagon, duke e bërë veten një nga lojtarët më të paguar në Major League Soccer (MLS).
Shaqiri do të fitojë rreth katër milionë franga neto në vit – pa taksat e zbritura amerikane, që do të thotë një pagë bruto prej mbi shtatë milionë. Vetëm kampioni italian i Evropës dhe i sapoardhuri i Torontos, Lorenzo Insigne do të fitojë edhe më shumë në ligë me rreth 15 milionë pagë vjetore”, shkruan mes të tjera media zvicerane.