Bayern Munich përgatitet të fitojë titullin e 10-të radhazi në kampionat teksa bavarezët gjithnjë e më shumë shfaqen dominues ndaj kundërshtarëve duke e bërë garën thuajse inekzistente.
Ndaj, presidentja e re e DFL, Donata Hopfen ka hedhur idenë që në sezonet në vazhdim Bundesliga të aplikojë formulën e Play-Off dhe kështu fituesja e kampionatit të vendosej mes katër skuadrave, ku do të luheshin dy gjysmëfinale dhe më pas një finale.
Ndërkaq, lidhur me idenë e Bundesligës së re, Bayern Munich është shprehur dakord dhe gati për ta studiuar këtë projekt, teksa CEO i klubit, Oliver Kahn thekson se bavarezëve iu duket më emocionues formati i ri dhe diçka e tillë do të shkaktonte entuziazëm edhe te tifozët.
Por, nëse te Bayern janë të hapur për propozimin, ende nuk është e njëjta ndjesi për klubet e tjera (Eintracht Frankfurt, Bayer Leverkusen, apo Union Berlin) të Bundesligës të cilat nuk janë të bindura nga formati i ri dhe kanë kërkuar kohën e tyre për të shqyrtuar idenë.