Inter triumfoi 2-0 në Kupën e Italisë ndaj Romës dhe siguroi kalimin në gjysmëfinale, ku e pret derbi me Milanin, megjithatë për të prishur festën e zikaltërve, këtë herë ka menduar Oscar Damiani, menaxher i portierit rumun Ionut Radu.
Ky i fundit prej më shumë se një viti është zëvendësues i Handanovic, por ka zbritur vetëm një herë në fushë, në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Empolit dhe shpresonte shumë që të ishte titullari i këtij kompeticioni, por Inzaghi ka zgjedhur sërish Handanovic dhe ka nxitur reagimin e ashpër të menaxherit.
“Jemi të zhgënjyer si ne, ashtu edhe Radu, që stërvitet gjithmonë në mënyrë të jashtëzakonshme.
Te Inter të gjithë i bëjnë komplimenta dhe pas ndeshjes mjaft të mirë me Empolin, prisnim të luante edhe në Kupën e Italisë, por nuk ndodhi kështu. Unë kam simpati për Handanovic, por mendoj se duhet t’i lërë hapësirë edhe zëvendësuesit, e jo të luajë vetë gjithmonë, ashtu siç bënte kur kishte Padellin.
Radu ka treguar me fakte se mund të bëjë fare mirë portierin e parë, ndaj ndoshta edhe kjo e tremb Handanovicin, që kohët e fundit ka bërë shpesh gabime. Pastaj kanë marrë Onanën, që e pamë edhe në Kupën e Afrikës, se nuk është ndonjë fenomen. Më vjen keq që po e trajtojnë kështu”, u shpreh Damiani.