Allegri kokëfortë: Do ta përsëris deri në mërzi, Juventusi nuk ka bërë asgjë deri tani

Futboll

Allegri kokëfortë: Do ta përsëris deri në mërzi, Juventusi nuk ka bërë asgjë deri tani

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 13:25
Massimiliano Allegri

"Ndeshja kundër Atalantës? Vlen për vendin e katërt". Ky ishte thelbi i konferencës për shtyp të Massimiliano Allegrit. Trajneri i Juventusit ka folur në prag të sfidës shumë delikate ndaj “Hyjneshës”, e planifikuar për nesër në stadiumin “Gewiss”, ora 20:45.

Ka nga ata që e quajnë një përplasje të drejtpërdrejtë për zonën e Champions-it, të tjerë e konsiderojnë një mundësi të mëtejshme që skuadra e rinovuar bardhezi të mund të shpresojë për diçka më shumë, si pjesë e rikuperimit të vazhdueshëm, pas një fillimi zhgënjyes të kampionatit.

Megjithatë, Allegri nuk ka dyshime: "Nesër është një ndeshje e drejtpërdrejtë për vendin e katërt; jo vendimtare, por shumë e rëndësishme. Atalanta ka treguar se e meriton një vend që e dërgon në Ligën e Kampionëve, do të jetë një ndeshje e vështirë dhe fizike. Kundërshtari është i zemëruar nga eliminimi në kupë, ndaj do të duhet të performojmë në nivel të lartë”.

Për kushtet e përgjithshme të skuadrës së tij, pas fitores 2-1 ndaj Sassuolos në Kupën e Italisë, trajneri livornez shtoi: “Ende nuk i kam të qarta kushtet e atyre që luajtën të enjten, konsumuan shumë energji. Megjithatë, jam shumë i qetë për cilësinë e zëvendësuesve të mundshëm, edhe të enjten dhanë shumë”.

Lidhur me “tridentin” ofensiv, Allegri nënvizoi: “Ku kemi nevojë për përmirësime? Në zgjedhjet e hapit të fundit, në saktësinë para portës kundërshtare. Pastaj, të gjithë duhet të rriten individualisht. Ne punojmë çdo ditë për këtë. Në futboll keni nevojë për ekuilibër dhe gjithashtu duhet të jeni të fokusuar tek episodet e detajet.

Vlaohvic? Me një pikë referimi përpara, që na mungonte, tani përfitimi është për të gjithë. Ka edhe një entuziazëm të madh, duhet saktësuar. Ekipi kishte punuar mirë për disa javë. E përsëris deri në mërzi: ne jemi Juve, nuk kemi bërë asgjë, fitorja është qëllimi i vetëm.

Treshja me Dybala, Vlahovic dhe Morata mund të startojë nesër, por duhet t’i vlerësoj në stërvitjen e fundit. Ne kemi Giorgio Chiellini jashtë, ndërsa Federico Bernardeschi është kthyer plotësisht të hënën. Nesër do të duhet të shfrytëzojmë pikat e dobëta të Atalantës, duke bërë një ndeshje të mirë teknikisht”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat