Mehmeti: Ekipi kristalizohet

Futboll

Mehmeti: Ekipi kristalizohet

Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 11:39
Mehmeti: Ekipi kristalizohet

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti foli në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjes ndaj Skënderbeut në transfertë. Tekniku i skuadrës kryeqytetase preku dinamikat brenda skuadrës duke theksuar se Kallaku ka bërë autokritikë para shokëve duke qenë se nuk e priti mirë zëvendësimin ndeshjen e kaluar.

Ndër të tjera, Mehmeti u shpreh se ndaj korçarëve ekipi duhet të tregohet cinikë për të marrë maksimumin dhe ta zgjidhë ndeshjen edhe nëse i vijnë vetëm një apo dy raste gjatë 90 minutave.

Vazhdimësia – “Fitorja me Teutën dhe Dinamon janë të ndryshme, pasi kishin specifika të ndryshme ndeshjet. Normalisht do na pëlqente vazhdimësia. E kam thënë shpesh se kthesa vjen gradualisht. Vazhdimësia është e rëndësishme. Fitorja me Skënderbeun do ishte një bonus i madh. Ne do shkojmë për të fituar dhe për të bërë maksimumin”.

Skuadra – “Skuadra është në ndërtim, pasi kemi pasur shumë afrime e largime. Ekipi do kristalizohet gradualisht. Do mundohemi të bëjmë maksimumin, duke bërë një bosht të skuadrës. Duhet të arrijmë maksimumin me këtë grup dhe më pas  të bëjmë një analizë dhe të vendosim ku kemi nevojë”.

Zhunior – “Ai është profesionist, një natyrë pozitive. Të gjithë duhet të pranojnë vendimet e trajnerit. Ai ka qenë pozitiv me vendimin e marrë për ta nisur nga stoli. U fut dhe u paraqit mirë. Kjo tregon se fryma e Partizanit është pozitive”.

Kallaku – “Sa i takon Kallakut, e kam sqaruar pas ndeshjes. Ai ka karakter të fortë dhe djalë i mirë, si dhe duke pasur edhe cilësitë e tij, duhet ta kuptojmë edhe atë sepse nuk është e lehtë të ndryshosh skuadër dhe të përshtatesh. Kallaku pret shumë nga cilësitë e tij, ndaj unë e kuptoj që nuk u pëlqen të zëvendësohen. Ai ka ardhur dhe ka bërë autokritikë para skuadrës dhe kjo ia rrit vlerën”.

Skënderbeu – “Skuadra si Skënderbeu ta vështirësojnë shumë manovrën sulmuese, duke u mbrojtur me shumë forca në gjysmëfushën e tyre. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe në mbrojtje, pasi kundërsulmojnë dhe kërkojnë thellësi. Duhet të jemi shumë cinikë. Jo të shkojmë shumë para porte, por të jemi rezultativë. Mund të na jepen një ose dy raste dhe duam ta zgjidhim. Skënderbeu është një ekip që i jep të gjithëve vështirësi. Mbrojnë shumë dhe nuk të japin shumë mundësi që të dalësh para porte”.

Skuka – “Unë e njoh shumë mirë, pasi e njoh Kategorinë e Parë. Ka cilësi të mira. I kam ndryshuar pozicionin, pasi ia di cilësitë. E kemi menaxhuar, gjetëm momentin që e la Dinamo të lirë dhe insistuam. Ia dinim vlerat. Skuka ka probleme, sikurse edhe Hadroj. Janë dëmtuar në Kupë, dje nuk janë stërvitur me grupin. Sot do flas me stafin mjekësor për të vendosur nëse do të luajë apo”.

Mirosavljev – “Është një lojtarë që duhet t’i japim kohë. Ndryshon fizionomia e lojës tonë me të në fushë. Ai kërkon që edhe skuadra të përshtatet me të. Ndryshojmë shumë kur del Skuka. Ai është profesionist dhe do të presim të tregojë vlerat”.

Matondo – “Ka ardhur në ditët e fundit të merkatos. Ka pasur virozë dhe ka qëndruar jashtë për 10 ditë. I kemi bërë testet fizike dhe nuk është gati për të marrë minuta. I kemi bërë një program që të rritet fizikisht dhe shpresojmë ta kemi gati sa më shpejt për të na ndihmuar”, u shpreh Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat