Një sezon i vështirë, larg objektivave në kampionat, një nisje jo e mirë e vitit 2022, por në tre ndeshjet e fundit, Partizani njeh vetëm fitore, duke marrë terren në renditje dhe duke prekur fazën gjysmëfinale në Kupën e Shqipërisë.
Suksesi i fundit, në Korçë, përballë Skënderbeut ishte treguesi i vërtetë se “të kuqtë” nuk janë dorëzuar dhe kërkojnë të ndryshojnë kurs, krahasuar me gjysmën e parë të sezonit.
Një përmbysje karakteri në stadiumin “Skënderbeu”, me protagonist absolut sulmuesin, Xhuliano Skuka, të besuarit e Mehmetit koleksionuan fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe të tretën në seri. Ecuria pozitive e kishte zanafillën pikërisht në suksesin e arritur ndaj Teutës, në ndeshjen e fituar nga kryeqytetasit 4-0, ku për herë të parë në këtë edicion, “demat” shënuan katër gola në një ndeshje, më pas triumfi ndaj Dinamos në kupë, që i siguroi Partizanit biletën për në gjysmëfinale dhe në fund përmbysja ndaj Skënderbeut, në një takim ku skuadra e Mehmetit shpalosi të gjitha cilësitë, duke interpretuar një nga ndeshjet më të mira në këtë sezon.
Momentalisht, Partizani numëron shtatë fitore, katër prej të cilave në transfertë, ndërsa sa i përket barazimeve, “të kuqtë” ngecin, pasi deri tani numërojnë shtatë të tilla, sa gjysma e edicionit të kaluar. Te kolona e humbjeve, Partizani çalon në këtë sezon, 6 humbje deri tani, një më shumë se sezoni i kaluar duke vendosur në dukje vështirësitë që ka kaluar skuadra në pjesën e parë të sezonit.
Janari, merkato dhe ndryshimet në pankinë kanë dhënë frytet e para, pasi me Mehmetin, Partizani numëron 4 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, me 11 gola të shënuar, 5 prej të cilëve i ka realizuar Skuka dhe vetëm 3 të pësuar. Tani Partizani ka tjetër “look” me Mehmetin në pankinë, Skukën në sulm dhe me skuadrën që javë pas jave fiton stabilitetin dhe harmoninë e munguar, duke u rikthyer te shinat e duhura.
Horizonti i “të kuqve” nuk është aspak premtues dhe shkalla e vështirësisë sa vjen edhe rritet, sepse pas derës janë Vllaznia, Dinamo, Kukësi dhe Tirana.