Tomas është njeriu i momentit

Futboll

Tomas është njeriu i momentit

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 13:56
Tomas është njeriu i momentit

Raul de Tomas është njeriu i momentit, jo vetëm te Espanyol, por edhe në La Liga. Sulmuesi 27-vjeçar po kalon një moment fantastik në kampionat, me 13 gola të shënuar në 22 ndeshje dhe është vetëm një gol larg rekordit të tij personal në La Liga. Një shifër mbresëlënëse për sulmuesin e Espanyol, por akoma dhe më shumë kur kupton, se Raul de Tomas ka shënuar 13 gola në 13 ndeshje të ndryshme, si askush tjetër në këtë sezon. 

Rrjeta e fundit ishte përballë Barcelonës, në derbin e fituar nga Espanyol në shtëpi në fundjavë, me katalanasit që u kthyen në “viktimën” e 11-të të sulmuesit nga Madridi.

Raul de Tomas në këtë sezon ka ndëshkuar edhe skuadra si Atletico Madrid, Real Madrid, Bilbao apo Valencia, duke dërguar sinjale të forta dhe për teknikun Luis Enrique, i cili ka filluar të mendojë për organikën e përfaqësueses spanjolle në Katar 2022.

Statistikat e këtij sezoni e vendosin atë në vend të parë, me 13 gola në 13 ndeshje të ndryshme, duke lënë pas sulmuesin e Real Madrid dhe njëkohësisht golashënuesin e La Liga-s, Karim Benzema, i cili ka shënuar 17 gola, në 11 ndeshje të ndryshme, ndërsa podiumi plotësohet nga Juanmi dhe Joselu që kanë shënuar respektivisht në 10 ndeshje të ndryshme.  Raul de Tomas është “idhulli” i Espanyol dhe jo më kot, pasi 10 nga 13 finalizimet kanë ardhur në shtëpi dhe vetëm 3 herë, sulmuesi ka shënuar në transfertë. Nuk bëhet fjalë vetëm për emocionet në shtëpi, por edhe për rëndësin e golave, pasi pa rrjetat e sulmuesit, sot, Espanyol do të kishte 12 pikë më pak në renditje.

Sa i përket rekordeve, De Tomas, fundjavën e kaluar barazoi argjentinasin Diego Milito, i cili 15 vite më pare, kur ishte pjesë e Real Zaragoza, në sezonin 2006-2007 shënonte në shtëpi kundër Barcelonës, Real Madrid dhe Atletico Madrid.

Sezoni i tij më mirë në elitën e futbollit spanjoll ishte 2018-2019 me skuadrën e Rayo Vallecano, ku në 33 prezenca realizoi 14 gola dhe me ritmin e krijuar, pritet që Raul de Tomas jo vetëm ta kaloj, por edhe ta thellojë këtë shifër, ndërsa në fundjavë në Barcelonë do të zbres Sevilla, një kundërshtar të cilit në këtë sezon sulmuesi nga madridi, ende nuk i ka shënuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat