Luhet Francë – Finlandë për femra, e vlefshme për edicionin e tretë të Turneut të Francës, në “Stade Oceane”, në qytetin Le Havre. Të dyja skuadrat kanë zbritur në fushën e blertë dhe zëri zyrtar i stadiumit bën thirrje që të pranishmit të respektojnë himnet respektive. I pari do të luhej himni i ekipit mik, pra i Finlandës.
Heshtje e plotë, nis himni dhe në sfond dëgjohet një muzikë e panjohur për finlandezet, por, në fakt, shumë e bukur. Është himni i Shqipërisë. Organizatorët kishin ngatërruar himnin dhe vajzat finlandeze, me të drejtë reaguan të habitura dhe duke qeshur. Buzëqeshje që iu largua shumë shpejt, pasi francezet dominuan në çdo aspekt dhe e fituan takimin thellë 5:0.
Në fakt, nuk është hera e parë që organizatorët francezë, nga padituria apo papërgjegjshmëria bëjnë gafa të tillë. Ka ndodhur edhe në shtator të vitit 2019, në ndeshjen Francë – Shqipëri 4-1.
Në vend që të luhej himni Shqipërisë, u vendos i Andorrës, duke shkaktuar pështjellim te futbollistët kuqezi. Për këtë incident, ndeshje filloi rreth shtatë minuta me vonesë.