Manchester City është gati t’i drejtohet rrugëve ligjore kundër Santiago City, skuadër që luan në kategorinë e tretë të futbollit kilian. Arsyeja? Emri i klubit shumë i ngjashëm me atë që karakterizon të gjitha skuadrat që kontrollohen nga City Football Group (CFG) mes të cilëve janë edhe anglezët.
Siç kanë shkruar disa media angleze, kampionët e Premier League duket se kanë paralajmëruar klubin kilian për shkak të ngjashmërisë së emrit dhe stemës së klubit, shkruan Telesporti.
Santiago City, që nuk ka luajtur akoma asnjë ndeshje profesionale, është i akuzuar se ngatërron publikun me operacione të marketingut që lënë të kuptohet se është pjesë e grupit që kontrollon pikërisht ekipet e njohur.
Nga sa mësohet, avokatët e Manchester City-t duket se i kanë dërguar një dokumentacion me 9 faqe avokatëve të klubit kilian 31 janarin e kaluar. Të shohim se çfarë do të ndodhë.