Kristjan Asllani po djeg me shpejtësi etapat dhe nga një talent premtues, po kthehet pak nga pak në një realitet në futbollin italian. Mesfushori shqiptar, tashmë shihet si një lojtar i cili mund të luajë si titullar rregullisht te Empoli dhe jo thjesht për t’u përshtatur me elitën e futbollit italian.
Këtë e ka pranuar edhe trajneri Aurelio Andreacoli, i cili në konferencën e sotme për shtyp ka deklaruar se është mëse i kënaqur me djaloshin që po paraqitet edhe më mirë se sa mendohej, duke marrë parasysh moshën e re dhe mungesën e eksperiencës.
“Rritja e Asllanit? Kishte gjëra që duheshin verifikuar, por ne kishim bindje që lindnin nga gjashtë muajt paraardhës.
Djaloshi është i aftë, po tregon atë që të gjithë ne mendonim, me raste edhe diçka më shumë. Ai ka fatin që luan përkrah Stulac nga i cili mund të mësojë shumë, ndërsa ne kemi fatin që kemi Leon i cili bën gjithmonë pjesën e tij”, tha Andreacoli për talentin shqiptar në konferencën e sotme për shtyp, para sfidës me Sampdorian.