Dikur luftonte kundër milicisë e ushtrisë serbe, ushtaraku sot e kërkon titullin e Kosovës 

Futboll

Dikur luftonte kundër milicisë e ushtrisë serbe, ushtaraku sot e kërkon titullin e Kosovës 

Nga: Kemajl Goca Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 20:51
Tahir Batatina

Po kush nuk njeh Tahir Batatinën, ish udhëheqës skuadre i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit. 

Në vitin 1998-1999, me uniformë luftonte kundër milicisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të pushtuesit serbë, tash e shumë vite është krenaria e futbollit të trevës së Llapit dhe njeriu i parë në histori që ia solli Kupën e Kosovës.

Në jetë private është pedant e parimor dhe i respektueshëm deri në pikën e fundit, ndërsa në fushën e lojës i pakompromis, nuk e njeh as vetveten dhe në debate shumë i durueshëm, por kur i vlon gjaku ta thotë troç!

Image

Gjithmonë ecjen e ka të një ushtarakut të përsosur edhe kur është me veshje civile, me një frizurë pak më ndryshe se homologët e tij. 

Puna që ka bërë me vëllezërit e tij, sot ka bërë një Llap të respektuar kudo e të frikshëm për rivalët. Tahir Batatina nuk kënaqet me trofeun e Kupës dhe Superkupës së Kosovës, tani kërkon edhe titullin e kampionit të Kosovës, që i mungon në vitrinat e klubit. Damarët e tij gjithnjë rrahin për fitore, por tani zemra i gufon për të fituar titullin e kampionit të Kosovës.

Për ndeshjen kundër Dritës, e cila luhet nesër në Gjilan, i ka bërë të gjitha matematikat dhe beson e shpreson në fitore.

I dashuruar në uniformën ushtarake dhe i lidhur shpirtërisht me futbollin, janë të veçantat e pjesëtarit të UÇK-së në fund të viteve të 90-ta.  Batatina është edhe sharmi i futbollit përveç me deklarata, disa herë ka fituar ndeshjet me taktikën e tij kur më së paku pritej përmbysja e rezultatit. Ka një filozofi gjermane, nuk dorëzohet deri në sekondën e fundit! Trim e triumfues në luftë, ngadhënjyes në futboll.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat