“Ata vazhdojnë të më quajnë të mbaruar, por kur kthehem e shemb stadiumin. Sa më shumë e thonë, aq më shumë karikohem”.
Rikthehet i zakonshmi Zlatan Ibrahimoviç, i cili në një intervistë për “Radio 105” luan rolin e tij në funksion të rikthimit në fushë pas dëmtimit të tendinit të Akilit. Ky dëmtim e detyroi të humbiste edhe ndeshjen kundër Salernitanës.
Me bindjen e madhe që e dallon dhe përshkruan karakterin e tij, gjiganti suedez tha: “Nëse do të kthehem shpejt? Kjo është e sigurt, por janë situata të vështira. Në karrierën time kam pësuar pak dëmtime, ndërsa vitet e fundit jam ndalur shpesh. Sidoqoftë, kushdo që flet për mua si një lojtar i kufizuar (mbaruar) nuk bën gjë tjetër veçse më ndez dhe më karikon. Sapo kthehem e hedh stadiumin përtokë”.
Më pas, fjalët për pensionimin e tij, për Milanin dhe për marrëdhënien me gjyqtarët: “Askush nuk mund të thotë se kur do të ndalem. Vetëm unë mund ta vendos këtë. Do të doja shumë të fitoja me këtë Milan, titulli do të më jepte më shumë kënaqësi se 10 vite më parë për punën e bërë. Unë dhe gjyqtarët? Dikur zihesha me ta, nuk e kontrolloja dot veten. Tani e menaxhoj më mirë situatën dhe duket se e kanë kuptuar edhe ata”.
Një mendim për Adriano Gallianin, drejtorin e sotëm të Monza: “E dua shumë. E ktheu për mirë karrierën time, kur nuk isha i lumtur te Barcelona. Mbaj mend që më telefonoi dhe më tha: Dua të ktheheni në Itali dhe këtë herë të luani për Milanin. Ai dhe Silvio Berlusconi ishin dy zotërinj.
Më pas nuk fola me Gallianin për tetë muaj, pas transferimit tim të detyruar te PSG. I thashë të shiste të gjithë ekipin, përveç meje. Ai më premtoi se do të qëndroja te Milani. Tani, megjithatë, gjithçka është kthyer si më parë me të”.