Dita e shumëpritur për Juventusin ka ardhur. Sot djemtë e Max Allegrit rikthehen në fushë në Spanjë për të luajtur sfidën ndaj Villarreal në Champions League.
Objektivi i tyre është të arrijnë deri në çerekfinale, fazë që nuk po e shohin më që prej vitit 2018 pas “hat-trickut” që Ronaldo shënoi ndaj Atletico Madrid.
Megjithatë, legjenda bardhezi, Alessandro Del Piero nuk mendon se çerekfinalet duhet të jenë objektivi i Juventusit. Ai dha një intervistë të gjatë për La Gazzetta dello Sport, ku ndër të tjera përmendi se Juventusi është favorit, si dhe nuk i kurseu elozhet për Dushan Vlahoviq.
“Kjo skuadër nuk mund ta konsiderojë çerekfinalen si objektiv minimal. Duke parë vlerën absolute, ndaj Villarealit, Juventusi është padyshim favorit”, komentoi ish-kapiteni i Juventusit. Megjithatë, duke marrë parasysh sezonin aktual, vlerat midis ekipeve janë më të niveluara”.
Del Piero është në favor të treshes së përbërë nga Morata, Vlahovic dhe Dybala dhe është i pikëlluar për mungesën e argjentinasit për shkak të dëmtimit: “Tashmë i kam menaxhuar kontratat e mia, mos më bëni të mendoj për ato të të tjerëve. – komentoi Del Piero për rinovimin e Dybala-s. Vetëm shpresoj që Paulo të jetë mirë sepse ai mund të japë ende shumë për këtë fanellë.”
Për Dushan Vlahoviq ndeshja e sonte do të jetë debutimi i tij në Champions League. Golashënuesi më i mirë i Serie A, 22 vjeç prej më pak se një muaj, do të ketë mbi supe peshën e plotë të sulmit të Juventusit, duke u përballur me një “veteran” të Serie A si Raul Albiol. Për sulmuesin serb, Del Piero nuk ka dyshime, duke deklaruar: “Nëse je kampion, mosha nuk ka rëndësi”.