Përmbaruesit kanë zbarkuar ditën e sotme në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, për të ndaluar asamblenë e 2 marsit, e cila me vendim të Gjykatës është pezulluar.
Asambleja e FSHF u pezullua nga Gjykata për shkak të hetimeve të nisura për manipulime me zgjedhjet, duke vendosur shtyrjen e tyre deri në hetimin e plotë të çështjes.
FSHF nga ana e saj ka deklaruar se nuk e njeh vendimin e gjykatës dhe zgjedhjet do mbahen në datën 2 mars. Nëse Armand Duka apo drejtuesit e tjerë të FSHF-së do të tentojnë të pengojnë zbatimin e vendimit të gjykatës, sipas nenit 606 të Kodit të Procedurës Civile dhe të nenit 320 të Kodit Penal, rrezikon nga 2- 3 vite burg.
Njoftimi:
Përmbaruesit zbarkojnë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës kundër Armand Dukës.
Përmbaruesi Basha sh.p.k ka ekzekutuar vendimin e gjykatës kundër presidentit të federatës duke ndaluar asamblenë e paligjshme që mendon të zhvillojë FSHF.
Gjykata pranoi kërkesën për sigurimin e padisë duke urdhëruar përmbarimin për ekzekutimin e vendimit.
Gjykata urdhëroi pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr.1, datë 10.01.2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.