Portieri i kombëtares, Gentian Selmani ishte i pafat në ndeshjen e kaluar të Ligës së Parë turke teksa aktivizohej në radhët e Boluspor kur pësoi një dëmtim në meniskun e gjurit të majtë.
Ish-portieri i Laçit u detyrua të zëvendësohej në minutën e 61, ndërsa prej dëmtimit nuk i shpëtoi as ndërhyrjes kirurgjikale.
Megjithatë, vetë 23-vjeçari nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka treguar se gjithçka ka shkuar mirë.
Ndërkohë, Selmani tregon se tashmë do të nisë fazën e rikuperimit për t’u rikthyer sa më shpejt dhe më i fortë në fushë.
Kujtojmë se ky është sezoni i dytë që Selmani bën pjesë në radhët e Boluspor duke qenë një titullar i padiskutueshëm, ndërkohë që në Turqi është aktivizuar më herët edhe te klubi i Menemenspor.