Gjigandi anglez Liverpool do ta monitorojë situatën e gjendjes së Diogo Jotas para finales së Carabao Cup kundër Chelseat të dielën, por asistenti i “Të Kuqve” Pep Ljinders e konfirmoi që Roberto Firmino nuk do të mund të paraqitet.
Jota dhe Firmino pësuan lëndime në fitoren 2:0 kundër Interit në Ligën e Kampionëve me 16 shkurt, ndërsa munguan në dy fitoret e fundit kundër Norwich Cityt dhe Leeds United.
Tani, asistenti i Klopp, Ljinders, ka përditësuar mbi gjendjen momentale të dyshes në fjalë, ku tregoi se Jota mund të paraqitet kundër skuadrës së Thomas Tuchel, por Firmino do të mungojë.
“Duhet ta shohim situatën e Firminos gjatë dy ditëve në vazhdim, ai është duke punuar shumë me vetën, por ai nuk do të jetë i gatshëm për finalen, që të jetë së bashku me skuadrën”, tha Ljinders.
“Ndërkaq, te Jota, nuk ka pasur reaksion në gjërat që ai i ka bërë, vrapimet e gjata, stërvitja e vogëm me top, kështu që kjo është një gjë e mirë. Ai mund të paraqitet, por përsëri do të jetë një sfidë për të”, shtoi asistent-trajneri i Liverpoolit.
Të dielën me fillim nga ora 17:30, Liverpooli do të përballet me Chelsean në stadiumin “Wembley”,, ndeshje kjo e vlefshme për finalen e Carabao Cup.