Daniel Sturridge po vuan problemet e njëpasnjëshme fizike të cilat tashmë i kanë vendosur në rrezik edhe vijueshmërinë e karrierës.
Ish-futbollisti i Liverpool dhe Chelsea që prej muajit tetor ka “emigruar” në Australi ku është pjesë e klubit të Perth Glory.
Gjithsesi, ndryshimi i Kontinentit nuk ka larguar “mallkimin” e 32-vjeçarit i cili gjatë karrierës së tij ka humbur plot 144 ndeshje si pasojë e dëmtimeve.
Së fundmi, për gjendjen e 32-vjeçarit ka folur trajneri i skuadrës australiane, Richard Garcia i cili thekson se lojtari vazhdon të “thyhet” vazhdimisht dhe se kjo mund ta largojë përfundimisht nga futbolli.
“Vazhdimisht mundohem që ta rikthej në fushë, por sa herë ndodh kjo atëherë ai dëmtohet sërish. Duhet ta monitorojmë me kujdes dhe të kuptojmë situatën në të cilën ndodhet.
Ka pësuar një dëmtim tjetër dhe shpresoj të mos jetë diçka e rëndë. Sturridge është i zhgënjyer, megjithatë mbetet një djalë i fortë”, u shpreh Garcia.