Manchester City është shumë i interesuar për të afruar Haaland dhe nga “Daily Mail” raportohet se klubi anglez është favorit për nënshkrimin e sulmuesit të Borussia Dortmund, Erling Haaland këtë vit.
Në fakt, 21-vjeçari mund të pëlqejë të provojë veten në Premier League, një ligë shumë kërkuese dhe po ashtu do të ndihej mirë në skuadrën e Pep Guardiolës.
Duhet theksuar se Haaland është në agjendën e klubeve më të mira në Evropë, duke përfshirë Barçën dhe Real Madridin, të cilët kanë treguar interes për xhevahirin e ri evropian, pa dyshim më të kërkuarin për momentin. Që nga bashkimi me Dortmundin në janar 2020, Haaland ka shënuar 80 gola në 79 ndeshje për klubin.
Përveç Cityt, gjithashtu është bërë e ditur se Barça është vënë në lëvizje për lojtarin. Pavarësisht konkurrencës së madhe që klubi i Barcelonës do të ketë me Real Madridin, Manchester Cityn dhe PSG-në për sulmuesin norvegjez, klubi i katalanasve po punon në mënyrë të fshehtë për ta bindur atë.
Siç u raportua të shtunën nga gazeta holandeze “De Telegraaf”, së fundi Joan Laporta, presidenti i Barçës dhe Jordi Cruyff, një anëtar i sekretariatit teknik të klubit “Blaugrana”, u takuan me Mino Raiola në Monako për të biseduar për Erling Haaland.