Drejtori i Radio Rai, Andrea Vianello ka nxitur reagime të shumta me komentin e tij, ku deklaronte se kampionati në Serie A këtë sezon është i parregullt për shkak të gabimeve të shumta të arbitrazhit.
Vianello, i cili ka qenë prej kohësh ndër gazetarët më të njohur italianë, beson se Seria A është e parregullt, pasi siç theksoi ai, Milani ka “humbur” pesë pikë në San Siro.
Kështu ka komentuar drejtori i Radio Rai-t pasi Udinese i “mori” një pikë Milanit në San Siro me një gol që Destiny Udogie duket se e shënoi me dorë.
Më parë, gjyqtari Marco Serra bëri një gabim të madh kur i hoqi tri pikë Milanit duke ndalur sulmin për kuqezinjtë ndaj Spezias, edhe pse Junior Messias ishte i vetëm para portës dhe shënoi një gol që do të thoshte fitore. Kujtojmë, në atë situatë, drejtuesit e Serisë A pranuan gabimin, teksa gjyqtari Serra u shpreh se nuk mund të flinte për ditë të tëra për shkak të vendimit.
Vianello hodhi akuza mjaft të forta, duke thënë se Milanit i ishin vjedhur pesë pikë dhe se kampionati ishte i parregullt.
“Nëse ishte prekje e topit me dorë, asgjë nuk ka më rëndësi. Pesë pikë u zhdukën në San Siro me fjalë magjike. Milani ishte i keq në pjesën e dytë,” tha Vianello.
Mirëpo, menjëherë pas kësaj, Vianello publikoi një postim edhe më të diskutueshëm në Tëitter, në të cilin shprehet se duhet t’i drejtohet sezonit të ardhshëm.
“Kampionati është i falsifikuar, ne shohim atë të radhës”, ka shkruar Vianello.