Sherret, paditë dhe kundërpaditë në FSHF nuk kanë të ndaluar. Pas një morie përballjesh në gjykatë mes palëve, pra mes drejtuesve të Federatës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, tashmë radhën e ka njëri nga kandidatët, i cili pretendon të garojë për postin e presidentit në këtë federatë.
Bëhet fjalë për Dritan Shakohoxhën, i cili mësohet se ka nisur së fundmi një betejë ligjore me FSHF-në.
Ai ka kallëzuar për shkelje sekretarin Ilir Shulku dhe personin që merret me çështjet ligjore në FSHF, avokatin Aldi Topçiu. Sipas të dhënave, kallëzuesi i akuzon dy të paditurit për firmosje në kundërshtim me ligjin për vijimin e punës për organizmin e zgjedhjeve të 2 marsit, zgjedhje që në fakt me tri vendime të njëpasnjëshme i ka rrëzuar gjykata.
Megjithatë, jo vetëm Shulku, por edhe vetë Armand Duka, në cilësinë e kreut aktual dhe kandidatit për mandatin e 6-të në krye të FSHF-së, ka bërë publik qëndrimin e tij se do të shkohet në procesin zgjedhor të përcaktuar nga Asambleja në dy mbledhje.