Dimitar Berbatov beson që gjigandi anglez Manchester United duhet të ëndërrojë për të nënshkruar me lojtarë si Erling Haaland.
Trajneri i përkohshëm i United Ralf Rangnick ishte filmuar së fundmi në një video e cila ishte postuar në rrjetet sociale duke thënë “Kë? Çfarë po ëndërroni natën”, si përgjigje kur ishte pyetur se a do të transferojë yllin e Borussia Dortmundit Erling Haaland.
Ndërkaq, shumë gjigandë evropianë kanë shprehur interesim në shërbimet e Haaland, ndër to edhe skuadrat si Manchester City, Real Madridi dhe Barcelona.
Kurse, në krahasim me trajnerin Rangnick, ish-lojtari i Manchester United Dimitar Berbatov beson që Haaland është lloji i lojtarit që “Djajtë e Kuq” duhet me çdo kusht ta transferojnë.
“E kam shikuar videon që po qarkullon nëpër media ku shihet Rangnick në duke qeshur me pyetjen nëse United do të nënshkruajë me Haaland. Ai i tha një tifozi që duhet të ëndërrojnë për të nënshkruar me të, dhe ndoshta kjo është një shenjë që ata nuk mund ta përballojnë atë, ose nuk është e mundur për të që të kalojë te një klub që momentalisht nuk po tregon futboll të mirë për të kapur vëmendjen e tij, ndoshta kjo është ajo që ai deshi të thoshte”, tha Berbatov.
“Për mua, ata duhet të rikthehen në standardet më të larta, me paraqitjet që dikur tregonin, në mënyrë që të kapin vëmendjen e lojtarëve të mëdhenj. Duhet të jesh budalla nëse nuk të pëlqen një lojtarë si Haaland në skuadrën tënde, kështu që Rangnick duhet të fillojë të ëndërrojë”, shtoi ish-sulmuesi i United.
Tanimë nuk është sekrete që Haaland mund të largohet këtë verë nga Dortmundi, kur edhe do t’i aktivizohet klauzola e tij prej 75 milionë eurosh, ndërsa interesim serioz në shërbimet e yllit norvegjez kanë shprehur City, Barcelona dhe Reali.