Futbollit shqiptar i është shtuar një tjetër kampionat! Futbolli i femrave, si një ndër prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit po merr prej kohësh vëmendjen e duhur, teksa së fundmi FSHF-ja ka vendosur të organizojë kampionatin kombëtar U-16 për femra.
Ky kampionat është i organizuar në dy grupe, A dhe B dhe ku secili grup është i përbërë nga gjashtë skuadra.
Gara do të zgjasë për 10 javë, me ndeshjet që do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe në fund, dy skuadrat e renditura më mirë në secilin grup do të kalojnë në fazën play-off, ku do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale dhe në fund finalja që do të përcaktojë edhe kampionen e parë për këtë edicion.
Në grupin A bëjnë pjesë gjashtë skuadra: Vllaznia, KF Murlani, KF Teuta, Kinostudio, Ak. Europiane e Futbollit dhe KF Burreli, ndërsa në grupin B: KF Skënderbeu, Lushnja, AAF Elbasani, Pogradeci, Apolonia dhe FC Vlora.
Teuta – Kinostudio ka qenë ndeshja që çeli këtë sezon të parë të këtij kampionati, me durrsaket që fituan me shifrat 3-1, duke marrë fitoren e parë në grupin A. Me të njëjtën monedhë janë përgjigjur edhe Vllaznia e KF Murlani, që gjithashtu mposhtën skuadrat respektive, Burrelin e Ak. Europiane të Futbollit. Vllaznia e nisi me një fitore të thellë 9-0 ndaj Burrelit, teksa edhe Murlani triumfoi me shifrat 6-0 ndaj Ak. Europiane të Futbollit.
Kjo është renditja e grupit A pas javës së parë:
Vllaznia 3 pikë
KF Murlani 3 pikë
KF Teuta 3 pikë
Kinostudio 0 pikë
Ak.Europiane e Futbollit 0 pikë
KF Burreli 0 pikë
Nga ana tjetër, në grupin B Apolonia mori fitoren e parë në grup, teksa mposhti me poker skuadrën e Vlorës, ndërsa dy ndeshjet e tjera të grupit u shtynë për një moment tjetër për shkak të motit të keq.
Kjo është renditja e grupit B pas javës së parë:
Apolonia 3 pikë
AFF Elbasani* 0 pikë
KF Skënderbeu* 0 pikë
Lushnja* 0 pikë
Pogradeci* 0 pikë
FC Vlora 0 pikë
Shënim: Me * janë skuadrat që nuk kanë luajtur akoma asnjë ndeshje.