Paris Saint-Germain thuhet se i ka bërë Kylian Mbappes një ofertë të re, e cila përfshin një bonus nënshkrimi prej rreth 100 milionë eurosh.
23-vjeçarit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe mund të largohet me parametra zero nga PSG-ja, me gjigantët spanjollë të Real Madrid që po tentojnë me çdo mënyrë për të nënshkruar me francezin.
Mbappe ka refuzuar një sërë ofertash për rinovim me PSG-në deri më tani, por parizienët janë të vendosur të mbajnë sulmuesin, i cili ka shënuar 156 gola në 205 ndeshje për klubin që kur u bashkua nga Monaco në vitin 2017.
“Le Parisien” raporton se të PSG-ja janë të përgatitur për ta bërë Mbappe-n lojtarin më të paguar në botë, duke i ofruar atij një marrëveshje të re 2-vjeçare me vlerë 960,000 euro në javë pa taksa.
Po e njëjta media shton se Mbappe do të merrte edhe një pagesë nënshkrimi prej rreth 100 milionë eurosh për të qëndruar në Parc des Princes.
Përfaqësuesit e Mbappes ende nuk i janë përgjigjur ofertës, por PSG raportohet se është optimiste për të bindur sulmuesin që të mbetet në klub pas diskutimeve pozitive me agjentët e tij.
Oferta vjen vetëm disa ditë pasi Mbappe la të kuptohej se ai mund të zgjaste qëndrimin e tij në Paris, në mënyrë që të rrëzonte rekordin e golashënuesit të klubit Edinson Cavani prej 200 golave për klubin francez.
Mbappe tani është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e PSG-së, pasi ka arritur të barazojë shifrën e Zlatan Ibrahimovic me 156 gola, pas dopietës së tij në fitoren 3-1 të së shtunës ndaj St-Etienne.