Pas dy barazimeve radhazi dhe shumë mllef në lidhje me vendimet e arbitrave, Vllaznia rikthehet në fushë përballë Dinamos. Pavarësisht pretendimeve se si ndaj Partizanit, ashtu edhe ndaj Skënderbeut janë penalizuar nga episode të arbitrimit, në kampin shkodran nevojitet fitorja, ndërkohë që në skuadër nuk kanë munguar momentet që demonstrojnë tension, me Vllazninë që i ka mbyllur të dyja takimet e fundit me 10 lojtarë, pas ndëshkimeve me kartonë të kuq për Hakajn apo Zogovic.
Brdaric i duhet të bëjë pa portierin e parë në një sfidë ku përballë publikut vendas dhe një kundërshtari në vështirësi serioze Vllaznisë i bëjnë punë vetëm 3 pikët. Kreu i klasifikimit aktualisht është zvenitur tej në horizont, por nuk duhet harruar se në vendin e katërt, Vllaznia është jashtë zonës europiane, dhe mungesa në kompeticionet kontinentale, për një skuadër që një sezon më parë luftoi deri në minutat e fundit për titullin kampion, do të konsiderohej padyshim një dështim.
Ndaj Dinamos do të jetë një luftë nervash, edhe për vetë pozitat në të cilat vijnë blutë në këtë përballje.
Bledar Devolli mori pikën e parë në barazimin e fundjavës së kaluar në derbin me Partizanin. Tanimë në zonën e ftohtë të klasifikimit, për Dinamon nevojitet një reagim i menjëhershëm për të evituar një fund sezoni me shumë vuajtje.
Skuadra qartazi vuan ngërçin psikologjik, ndërsa në aspektin e statistikave mungesa e golave është evidente. Dinamo nuk shënon prej plot 5 ndeshjesh, duke përfshirë këtu dhe sfidën e Kupës me Partizanin, ndërkohë që në total ka shënuar vetëm 12 gola, çka e bën sulmin më të keq, të kampionatit. Mbetet për tu parë nëse do t’ia dalin të thyejnë tabunë përballë Vllaznisë, që pikërisht te sulmi dhe loja krijuese ka pikën e saj më të fortë.