Sulmuesi i talentuar shqiptar, Armando Broja, vazhdon të japë paraqitje të shkëlqyera në fushën e lojës me klubin në Angli, duke qenë protagonist absolut me Southampton në Kupën FA. 20-vjeçari ishte njeriu i ndeshjes në suksesin 3-1 ndaj Uest Hemit, që kualifikoi “Saints” në raundin tjetër të kompeticionit.
Sulmuesi i Kombëtares u fut në pjesën e dytë në fushë dhe arriti të fitojë një penallti në minutën e 65-të, që u akordua nga gjyqtari pas konsultimit me sistemin VAR. Penallti ua transformua në gol nga Uard-Prous, i cili i dha avantazhin 2-1 Southamptonit. Në minutën e 95-të, Broja realizoi një gol fantastik, duke vulosur fitoren 3-1 dhe kualifikimin për në raundin tjetër të Kupës FA.
Sajti i specializuar i statistikave “Sofa Score” e ka vlerësuar sulmuesin me notën 7.6, që do të thotë se ai ishte lojtari më i mirë i ndeshjes për ekipin e tij. Ky ishte goli i tetë sezonal për Brojën me klubin.
Edhe sulmuesi tjetër kuqezi, Ernest Muçi vazhdon të dhurojë paraqitje të mira në Poloni. Ai ishte lojtar kyç në suksesin e Legia e Varshavës 2-0 ndaj Lecznës në Kupën e Polonisë.
Sulmuesi hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 57-të dhe realizoi golin e dytë të sfidës në minutën e 86-të, duke vulosur kualifikimin për në gjysmëfinalen e Kupës së Polonisë. Ky ishte goli i gjashtë sezonal i Ernest Muçit.