Vllaznia shfrytëzoi humbjen e Kukësit, mposhti 2-1 Dinamon në “Loro Boriçi” dhe tani ndan vendin e tretë në renditje me skuadrën e Diego Longos, që është edhe kundërshtari i radhës për kuqeblutë shkodranë.
Liridon Latifi zhbllokoi takimin pas çerek ore lojë me një penallti të akorduar nga VAR-i, duke gjetur golin e dhjetë sezonal në kampionat. Ante Aralica dyfishoi me kokë në minutën e 24-t, por teknologjia anuloi golin e sulmuesit vendas pas 5 minutave.
Vllaznia e filloi mirë edhe pjesën e dytë. Aralica realizoi përsëri me kokë në minutën e 48-të. Festë për kroatin që rigjen golin pas shumë ndeshjesh. Vllaznia uli ritmin dhe Dinamo mori zemër.
Sofranac shënoi një gol të bukur pesë minuta përpara fundit, i pari për të në Superiore. Mehmetllari iu afrua barazimit në shtesa, por goditja me kokë nuk ishte e saktë.
Në fund 2-1 për Vllazninë, që në takimin e radhës kundër Kukësit nuk do të ketë shërbimet e Adilit, Jonuzit dhe Gurishtës, ndërsa Dinamo mbetet në vend të parafundit me 20 pikë.
Abissnet Superiore
Java e 23-të
Vllaznia-Dinamo 2-1 (Latifi (pen) 16′, Aralica 48′ / Sofranac 85′).