Juventusi, Barcelona dhe Real Madrid nuk kanë hequr dorë nga projekti i Superligës Europiane të Futbollit, që u hartua nga 12 klube në total, por presioni i UEFA-s ndikoi që të mbeten vetëm tre klubet që mbështesin Superligën.
Kreu i bardhezinjve italianë, Andrea Agnelli i është rikthyer përsëri kësaj teme, duke konfirmuar pozicionin e tij dhe të Juventusit. “Superliga Europiane e Futbollit nuk ka dështuar si projekt.
Superliga është një punë kolektive e 12 skuadrave, jo një personi të vetëm. 12 klube kanë firmosur një kontratë prej 120 faqesh, që është ende e detyrueshme për 11 prej këtyre klubeve.
Futbolli europian ka nevojë urgjente për reforma, janë shumë të nevojshme. UEFA është një organ rregullator, monopol dhe kujdestar. Ata e dinin shumë mirë që unë po punoja për diçka tjetër para nisjes së Superligës.
Unë mendoj se UEFA nuk është organ i përshtatshëm për të udhëhequr një biznes si futbolli. Do të pres që Këshilli Evropian i Drejtësisë të na thotë nëse organi aktual është i përshtatshëm për qëllimin”, deklaroi presidenti i Juventusi.