Juventus mbetet e fokusuar te kampionati dhe Champions League, mirëpo bardhezinjtë nuk ndalojnë së ideuari skuadrën e sezonit të ardhshëm, ku nevojiten ende disa lëvizje për t’i rikthyer bardhezinjtë sërish konkurrues në Europë dhe Serie A. Objektivi i torinezëve nuk është më një sekret pasi prej të paktën dy vitesh janë vënë pas Paul Pogba, teksa italianët ndihen nostalgjikë për lëvizjet e francezit në mesfushë.
Aktualisht, Pogba është në vitin e fundit të kontratës me Manchester United dhe nuk ka sinjale rinovimi. Në këtë pikë, Juventus mund ta marrë edhe njëherë tjetër me parametër zero 28-vjeçarin, ndërsa problem mbetet paga.
Megjithatë, për ta bindur të pranojë një ofertë ekonomike me shifra normale dhe jo si ato që mund t’i ofrojë Real Madrid apo PSG, në lojë është futur vetë Massimiliano Allegri.
Tekniku livornez ka ruajtur një marrëdhënie të mirë me mesfushorin ndërsa i ka shprehur dëshirën për ribashkim. Sakaq, sipas mediave italiane, Juventus është gati t’i ofrojë 7.5 milionë euro në sezon Pogbas dhe së bashku me bonuset shifra shkon në 10 milionë euro të cilat mendohen t’i mjaftojnë lojtarit i cili në fakt është i tunduar të rikthehet në një vend ku ndihej i vlerësuar dhe i lumtur.