Java e 28-të e Serie A kulmon me ndeshjen në lartësi të madhe mes Napolit të Luciano Spallettit dhe Milanit të Stefano Piolit. Dy skuadrat, duke luftuar Interin në sprintin për titullin kampion, përplasen sonte në “Diego Armando Maradona” pas suksesit të minutës së fundit kundër Lazios, falë një goli të Fabian Ruiz në 94’, në “Olimpico” të Romës; dhe barazimi 1-1 në “San Siro” ndaj Udinese, respektivisht.
Napoli reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, me një sukses në fushën e bardhekaltërve të drejtuar nga ish-i i tij, Sarri, ndaj eliminimit në “play-off” të Europa League nga Barcelona. Milani, nga ana tjetër, vjen nga një barazim i ri pa gola ndaj Interit në derbin e parë gjysmëfinal të Kupës së Italisë.
Napoli dhe Milani u ndeshën për herë të fundit më 19 dhjetor, në sfidën e vlefshme për javën e 18-të të kampionatit. Në “San Siro” ishte skuadra napolitane, e drejtuar nga Luciano Spalletti, që fitoi 1-0. Goli pas 5 minutash lojë i Elmas ishte vendimtar. Në “Maradona”, megjithatë, Napoli dhe Milani u takuan për herë të fundit më 22 nëntor 2020. Kuqezinjtë fituan me rezultatin 3-1, nënshkruar nga dopieta e Ibrahimovic dhe goli i Hauge në fund.
Luciano Spalletti do të mund të llogarisë Lobotka, i cili hyri në lojë kundër Lazios dhe është gati të marrë fanellën e titullarit. Pankinë e mundshme për Anguissa, ndërsa Lozano rikthehet në dispozicion të trajnerit nga Certaldo.
Romagnoli jashtë për Milanin, hapësirë për Kalulu në mbrojtje. Messias më shumë se Saelemaekers si fantazist, ndërsa Kessie po përgatitet të luajë që në fillim në vend të Brahim Diaz. Në majë të sulmit kuqezi pritet të jetë Giroud, teksa Ibra është bashkuar me grupin dhe shpreson të paktën të jetë në pankinë.
Ja formacionet e mundshme:
NAPOLI (4-2-3-1): Ospina; Di Lorenzo, Rrahmani, Koulibaly, Mario Rui; Lobotka, Fabian Ruiz; Politano, Zielinski, Insigne; Osimhen.
MILAN (4-2-3-1): Maignan; Calabria, Kalulu, Tomori, Hernandez; Tonali, Bennacer; Messias, Kessie, Leao; Giroud.